Krim makabër në Kolumbi! Vritet me armë, kampionia e botës në patinazh

0

Luz Mery Tristán, ish-kampione bote ka ndërruar jetë gjatë natës nga e shtuna në të diel, në Kali. Një lajm i hidhur ka zgjuar Kolumbinë dhe botën e sportit këtë të diel.

KOLUMBI – Viktimë e një vrasje të mundshme me armë, ish-patinatorja e konvertuar edhe në çikliste, Luz Mery Tristán , vdiq të dielën e 6 gushtit 2023, pasi humbi betejën me plagët me armë zjarri, me të cilat u shtrua në një spital në Kali.

Detajet që disponohen deri më tani janë hipoteza të thjeshta, por për shkak të rrethanave, i dyshuari kryesor është partneri i saj, i cili u gjet nën efektin e alkoolit dhe drogës në momentin e arrestimit nga policia, dhe me të cilin kishte pasur plane të martohej vjeshtën e ardhshme.

Kush ishte Luz Mery Tristán?

Ish-sportistja kolumbiane ka lindur në Pereira, Kolumbi, më 1 prill 1963 dhe në moshën njëzet vjeçare ajo ishte kampione pan-amerikane e patinazhit artistik. Më vonë ajo do t’i kthehej çiklizmit, ku u dallua në vitin 1986, kur ishte pjesë e ekipit kolumbian për ‘Grande Boucle’, versioni për femra i turneut popullor “Tour de France”. Në vitin 1990, patinatorja ishte kampione në Kupën e Botës së Skating në Bello, Antioquia.

Çfarë ndodhi natën e së dielës, 6 gusht 2023?

Siç është raportuar nga policia dhe prokuroria e Kalit, Luz Mery Tristán është sulmuar me armë zjarri, e cila i ka shkaktuar vdekjen. I dyshuari kryesor është biznesmeni që kishte lidhje me ish-çiklisten dhe patinatoren.

Hetimet zbulojnë nëse i pandehuri ka konsumuar ndonjë lloj lënde që mund ta kishte shtyrë në kryerjen e veprës së mësipërme, pa minimizuar seriozitetin e fakteve. Presidenti kolumbian, Gustavo Petro, ka shprehur keqardhje të thellë për vdekjen e sportistes:

“Me sa duket po përballemi me një vrasje. Sa fatkeqe vrasja e Luz Mery Tristán, patinatores që shoqëroi ekzistencën e kolumbianëve në dekadat e fundit për t’i dhënë shkëlqim,”- ka shkruar Gustavo Petro, në Twitter.

Në moshën 60-vjeçare, Luz Mery Tristán donte të martohej me biznesmenin, që ndoshta i mori jetën. Sipas një personi të afërt të çiftit, kartat e ftesës tashmë ishin dërguar dhe dasma ishte planifikuar për në tetor.

Promovimi i sportit, ajo që e ka shoqëruar gjithmonë

Luz Mery Tristán, me punë të shkëlqyer sociale, krijoi një shkollë dhe qendër sportive në Kali. Synimi i saj ishte shtrirja e sportit në Kolumbi dhe mbështetja e kampionëve të ardhshëm të vendit të Amerikës së Jugut. Në faqen e shkollës mund të lexoni:

“Përmbushja e ëndrrave tuaja është e mundur me përkushtim dhe përpjekje. Kjo është arsyeja pse sot ne i nderojmë të gjitha gratë që ngrihen çdo mëngjes për të realizuar vendimet e tyre. Ata janë kampionet tona!”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu