‘Kriteret’ për presidentin e ri, Alibeaj mbledh nesër grupin parlamentar: Bëni sugjerime!

0

TIRANË– Nesër, grupi parlamentar pritet që të mblidhet, sërish me ftesë të Enkelejd Alibeajt. Mbledhja, e caktuar në orën 14:00 pritet që të zhvillohet me qëllim marrjen e një vendimi lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, pasi Ilir Metës i përfundon afati në korrik.

“Secili anëtar i grupit mund të sugjerojë kriteret që do propozojmë për zgjedhjen e Presidentit, dhe rregullat e procedurës që do ndiqet për përzgjedhjen konsensuale, ku opozita të ketë rol thelbësor në proces,”-mësohet se është shprehur lidhur me mbledhjen Alibeaj. Ndërkohë që nuk kanë munguar as kundërshtimet.

Ka deputetë që duan përfshirjen e opozitës në proces, ndërsa nga ana tjetër anëtarët e Komisionit të Rithemelimit kanë mohuar kategorikisht uljen me socialistët në tryezë për presidentin, duke pretenduar se gjithçka është farsë. Po ashtu, ata nuk njohin Alibeajn si drejtues të grupit parlamentar pasi është shkarkuar në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 30 prill.

Herën e fundit që grupi parlamentar u mbodh me kërkesë të tij, nuk plotësohej numri i mjaftueshëm për kuorumin, pasi krahas bojkotit nga deputetët e “Rithemelimit”, Alibeaj nuk mbështetet më as nga 15 deputetë të tjerë që kanë zgjedhur të mos mbajnë asnjë anë në përplasjen që po ndodh brenda selisë blu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu