Kriza e naftës: Evropa negocion me Iranin për kalimin e sigurt në Ngushticën e Hormuzit

0

Disa vende evropiane kanë nisur bisedime me Irani për të siguruar kalimin e sigurt të anijeve të tyre nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.

Lajmi raportohet nga Financial Times, duke cituar zyrtarë të informuar për përpjekjet diplomatike.

Sipas raportimit, iniciativa synon rifillimin e dërgesave të energjisë nga Gjiri Persik pa përshkallëzuar më tej konfliktin në rajon.

Trafiku përmes kësaj ngushtice – nga ku zakonisht kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë – ka rënë ndjeshëm pas sulmeve iraniane ndaj tankerëve dhe deklaratave për mbajtjen e ngushticës të mbyllur.

Situata u tensionua më tej pasi udhëheqësi i ri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, u zotua se do të mbajë të bllokuar ngushticën.

Përpjekje diplomatike evropiane

Tre zyrtarë të cituar nga Financial Times thanë se kryeqytetet evropiane po shqyrtojnë mënyra për rinisjen e eksporteve energjetike, duke përfshirë edhe mundësinë e eskortimit të anijeve nga flotat perëndimore.

Franca është konfirmuar si një nga vendet që po merr pjesë në këto diskutime.

Italia gjithashtu ka tentuar të hapë kanale komunikimi me Teheranin për këtë çështje.

Megjithatë, brenda Evropës ka qëndrime të ndryshme për mënyrën e trajtimit të situatës. Disa shtete mbështesin dialogun me Iranin për të shmangur përshkallëzimin, ndërsa të tjera janë skeptike për një angazhim të drejtpërdrejtë.

“Disa mendojnë se duhet të flasim me iranianët. Por shtetet e BE-së kanë pikëpamje shumë të ndryshme për këtë, gjë që e bën më të ndërlikuar”, tha një zyrtar për Financial Times.

Zyrtarë nga Mbretëria e Bashkuar thanë se Londra nuk është në bisedime të drejtpërdrejta me Iranin. Megjithatë, ministrja e Jashtme Yvette Cooper po zhvillon diskutime me vendet e Gjirit për garantimin e vazhdimësisë së furnizimeve me naftë.

Mundësia e eskortimit të anijeve

Presidenti francez Emmanuel Macron ka sinjalizuar se Franca mund të ofrojë eskortë për anijet tregtare, nëse tensionet në rajon ulen.

Ndërkohë, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi për median italiane se Evropa po përpiqet të paraqesë një kërkesë të përbashkët ndaj Iranit, që anijet neutrale të lejohen të kalojnë të sigurta përmes ngushticës.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë, dhe çdo bllokim i saj ka potencial të shkaktojë pasoja të mëdha për tregjet ndërkombëtare të naftës dhe gazit.