9 Shkurt 2026
Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi dënimin me burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, ndërsa ndaj tij është lëshuar edhe urhër-arresti, pasi nuk ishte i pranishëm në seancë.
Më herët, më 24 janar 2025, GJKKO shpalli fajtor Memollën për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”, së bashku me tre persona të tjerë të përfshirë në të njëjtin proces. Gjykata e dënoi Memollën me 1 vit burg, në përputhje me kërkesën e SPAK, duke aplikuar minimumin e parashikuar nga ligji për këtë vepër penale.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në nëntor 2023 u dërgua për gjykim Memolla dhe tre të pandehur të tjerë, të akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe falsifikim dokumentesh. Hetimet zbuluan se Memolla kishte ndikuar tek elektricisti Blerim Xhamani që të mos ndërpritej energjia elektrike për një abonent debitor, me qëllim sigurimin e votës në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022. Gjithashtu, ai dyshohet se kishte komunikuar për mundësi punësimi në bashki në këmbim të mbështetjes elektorale.
Blerim Xhamani u shpall fajtor për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe “falsifikim dokumentesh”, pasi sipas SPAK, së bashku me Isuf Toskun, kishin falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë. Ndërkohë, Ndriçim Tafxhafa u dënua pasi premtoi shlyerje detyrimesh dhe strehim në këmbim të votës. Xhamani dhe Tafxhafa u dënuan me nga 1 vit burg, ndërsa Tosku me 8 muaj burg, me pezullim të ekzekutimit dhe vendosje në shërbim prove për 1 vit e 4 muaj.
Dënimet minimale për krimet zgjedhore kanë ngjallur shqetësim tek organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset elektorale. Organizata “Qëndresa Qytetare” i cilësoi krimet zgjedhore si një provë të rëndësishme për SPAK, duke theksuar se përdorimi i burimeve publike për përfitime politike është i ndaluar me ligj, por zbatimi i tij mbetet sfidë. SPAK, nga ana e tij, ka mbrojtur kërkesën për dënim minimal, duke theksuar se ajo është në përputhje me rrethanat konkrete të çështjes.





