“Kryeministri nuk largohet kështu”/ Protestat e opozitës ‘lodhin’ Luljeta Bozon

0

TIRANË- Deputetja e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo komentoi zhvillimet e fundit politike në vend dhe situatën e krijuar javët e fundit në Kuvend. Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, Luljeta Bozo u shpreh se ishte e pranishme vetëm 45 minuta në seancën e fundit plenare, por u largua me dhimbje koke për shkak të zhurmës akustike të shkaktuar nga opozita.

“Ajo seancë, ishte për mua jo normale, sepse në vend të bëhen diskutime pro dhe kundra, seanca ishte një tmerr i vërtetë. Unë tre çerek ore ndenja dhe më filloi një dhimbje koke e tmerrshme nga rënia e bilbilit dhe tavolinave me dorë. Ky vetëm revolucion nuk është… revolucioni është një vullkan. Nuk është me aq njerëz sa dolën në protestë. Revolucioni vjen nga një revoltë e përgjithshme për gjërat që njerëzve u ka ardhur laku në fyt,”- u shpreh ajo.

E pyetur lidhur me çështjen e ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal, Bozo tha se duhej pritur që drejtësia amerikane të përfundonte hetimet, e më pas të vepronte Prokuroria shqiptare.

“Unë mendoj se çështja McGonigal i përket SHBA dhe do ta zgjidhin ata, dhe nëse gjatë shqyrtimit do dalë ndonjë gjë nga këto probleme që ngre opozita, atëherë do vijë puna dhe tek ne. Sepse duhet të kesh prova ta çosh në Prokurori që të nisin hetimet. Nuk dyshoj, se drejtësia amerikane është drejtësi në kuptimin e vërtetë të fjalës, dhe problemet e tjera janë fare absurde, që dhe një fëmije t’ia thuash nuk i beson… që një kryeministër do bëka gjithë këtë gjullurdi,”- tha Bozo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu