Ksamili në “shtetrrethim”, dyshohet për përplasje mes “grupeve të rrezikshme” dhe forcave të policisë

0

Prej orëve të vona të mbrëmjes të së hënës, dhjetëra forca policore kanë mësyrë në qytezën e Ksamilit. Bëhet fjalë për një operacion të mbajtur sekret që po zhvillohet nga forcat operacionale, ato të FNSH në bashkëpunim me policinë e Sarandës.

Raportohet se policia është vënë në ndjekje të disa personave me rrezikshmëri të lartë, të cilët ende nuk janë lokalizuar. Dy furgonë me efektivë të FNSH po krehin zonën nga Ksamili deri në Butrint, ndërkohë që janë ngritur edhe pika kontrolli në hyrje-daljet e qytezës.

Agjentët e policisë, ndërkohë prej paradites së sotme po kqyrin kamerat e sigurisë në disa biznese për të lokalizuar të dyshuarit. Dyshohet të ketë pasur edhe përplasje mes autorëve të dyshuar dhe policisë dhe për këtë shkak është dashur ardhja e forcave shtesë.

Hyrje-daljet po kontrollohen nga efektivë të forcave “Shqiponja” ndërkohë që operacioni pritet të shtrihet deri në kufirin shqiptaro-grek në Bashkinë Konispol.