Deri në mesditë kthjellimet dhe vranësirat e pakta do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të territorit, përjashtuar zonat malore përgjatë kufirit lindor të cilat do të paraqiten me vranësira disi më të dendura. Kjo situate atmosferike do të na shoqërojë në pothuajse të gjithë vendin deri vonë në mbrëmje ku pritet shtim i vranësirave në të gjithë territorin e vendit.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 9°C deri në 32°C. Era do të fryjë mesatare dhe herë pas here e fortë duke arritur shpejtësinë maksimale 40 km/h nga drejtimi Verior dhe Verilindor; duke sjellë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim 3 ballë.
Kosova
Orët e para të mëngjesit dhe mesdita do të sjellin në Republikën e Kosovës mbizotërim të intervaleve me kthjellime dhe vranësira të dukshme, të cilat në zonat veriore dhe verilindore do të sjellin reshje të pakta dhe të izoluara shiu. Ndërsa pritet që edhe gjatë pasdites vranësirat të mbeten prezente në të gjithë rajonin e Kosovës por nuk priten reshje. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie me 2 gradë në mëngjes, si edhe 2 – 3 gradë rënie pritet në vlerat e mesditës duke luhatur vlerat ditore nga 6°C deri në 24°C.