Në podkastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, ishin të ftuar disa nga futbollistët e Kombëtares. Kapiteni Berat Gjimshiti, mbrojtësit Elseid Hysaj e Mario Mitaj, sulmuesi Myrto Uzuni ishin pjesë e podkastit dhe folën për Shqipërinë në EURO 2024.
Lojtarët e Kombëtares komentuan ndeshjet që kanë luajtur deri më tani si dhe zbuluan se cilat skuadrat do të donin që të kishin në grup në sfidat e radhës.
Pjesë nga biseda:
Uzuni: Golat i kam lënë për në Europian. Ishte pak e vështirë me Ishujt Faroe sepse mbroheshin me forca të shumta, pasi me ekipet që janë më të forta në letër luajmë lojë të hapur dhe me ekipet më të dobëta në letër luajnë lojë të mbyllur dhe është e vështirë të shënosh.
Hysaj: Kemi thyer rekorde kësaj herë, as ne nuk e kemi pritur një grup si ky dhe ne në vendin e parë. Kemi treguar që kemi një forcë të madhe dhe jemi të vetëdijshëm që mund të arrijmë më shumë se kaq.
Mitaj: Kam bërë dhe gabime me Ishujt Faroe, por njëherë në 5 ndeshje dhe falet. Isha pak i papërqendruar e kisha mendjen te festa.
Gjimshiti: Nuk jam unë më i vjetri është Veseli, por jam edhe unë veteran. Luaj prej 2014-s me Kombëtaren, isha në eliminatore, por jo në Europian. Atëherë kam qenë i ri 22 vjeç, luaja në Zvicër ishte e vështirë, pasi po bëja kalimin nga Zyrih tek Atalanta dhe nuk pata ndeshje, luajta vetëm 3 ndeshje në 6 muaj. Atëherë vendosi trajneri De Biazi që nuk isha në formë dhe nuk më mori, dhe e pranova. Puna vazhdon dhe eca përpara.