Kultivimi i kanabisit, “Krasta” vë në pranga dy inspektor pyjesh në Elbasan dhe kryetarin e fshatit

0

Vijon operacioni policor i koduar “Krasta” në Elbasan, i zhvilluar më 21 qershor, për goditjen e një rasti të kultivimit të bimëve narkotike.

Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, ndalohen për shpërdorim detyre, dy inspektorë pyjesh dhe kryetari i fshatit ku u gjetën të kultivuara 160 bimët narkotike.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me strukturat e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Elbasan, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, në zbatim të urdhrit të prokurorit, kanë ndaluar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit:

Ylli Çipi,56 vjeç, me detyrë inspektor pyjesh në zonën e Gjinarit;

Florec Lufo, 45 vjeç, me detyrë inspektor pyjesh në zonën e Zavalinës;

Kostandin Bica, 55 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Seltë.

Hetimi penal ndaj këtyre shtetasve ka nisur në kuadër të veprimeve hetimore të zhvilluara gjatë operacionit policor të koduar “Krasta”, si rezultat i të cilit, më datë 21.06.2023, në një zonë pyjore të fshatit Seltë, njësia administrative Zavalinë, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 160 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.

Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, shtetasin A. D., 53 vjeç, banues në Tiranë. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu