GJIROKASTËR– Gjashtë persona janë vënë nën hetim në Gjirokastër dhe Tepelenë pasi kanë kundërshtuar punonjësit e policisë. 3 prej të proceduarve kundërshtuan policët gjatë shoqërimit pas sherrit për pronat. Forcat blu sqarojnë se ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
NJOFTIMI I POLICISË:
6 qytetarë janë vënë nën hetim nga policia në Gjirokastër pasi kundërshtuan efektivët gjatë shoqërimit të tyre. 3 prej tyre konkretisht shtetasit G B., 28 vjeç, G. S., 36 vjeç dhe B. B., 37 vjeç, të tre banues në Gjirokastër, në mesnatë, në lagjen “Pazari i Vjetër”, Gjirokastër, kanë prishur qetësinë publike, si dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për shoqërimin e tyre. Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ndërsa 3 të tjerë, Z. I., L. I., dhe A. I., banues në Tiranë, u vunë në hetim pasi këta shtetas nuk iu bindën urdhrit të efektivëve, në lidhje me një konflikt pronësie që kanë me shtetas të tjerë.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.