Një mjek i shpallur në kërkim dhe i dënuar me disa muaj burg është arrestuar ditën e sotme nga policia e Tiranës.
Mësohet se në pranga ka përfunduar Ilir Hoxha, 52 vjeç, i cili rezulton të jetë dënuar nga Gjykata e Tiranës me 11 muaj e 25 ditë burg për akuzën se ka falsifikuar dokumentet shëndetësore për bizneset që nuk respektonin rregullat anti-COVID.
Emri i mjekut doli edhe gjatë operacionit të urdhëruar nga SPAK, që çoi në pranga 14 zyrtarë të strukturave shëndetësore, të cilët përfituan nga situata e pandemisë së COVID, duke shpërndarë tamponë për të përfituar lekë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit ndaluan shtetasin në kërkim Ilir Hoxha, 52 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë e ka dënuar me 11 muaj e 25 ditë burgim, për veprat penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore’, kryer në bashkëpunim”, sqaroi Policia.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se personat nën hetim janë implikuar në disa episode korruptive si: marrje e vlerave monetare që varionin nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja, në këmbim të mosndëshkimit me masë administrative të subjekteve të cilët ishin konstatuar me shkelje të kushteve higjieno-sanitare; sigurim i librezave shëndetësore të lëshuara mënyrë fiktive, për shtetas të cilët nuk u janë nënshtruar vizitave mjekësore, duke përfituar shumën 2.000 lekë të reja për çdo librezë; ndërmjetësim me qytetarë të ndryshëm për të bërë tamponin për COVID-19, kundrejt shumave monetare nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja; marrje e shumave monetare subjekteve të ndryshme tregtare që të mos i ndëshkonin me masa administrative kur konstatoheshin me shkelje.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: 1.500.000 lekë të reja dhe 2500 euro të gjetura në banesën e personit nën hetim N. N.; 35 libreza shëndetësore të gjetura në disa subjekte tregtare private në qytetin e Tiranës; certifikata dezinfektimi dhe dokumente të ndryshme mjekësore që janë lëshuar në mënyrë fiktive nga punonjësit e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Instituti i Higjienës Tiranë; 14 aparate celulari të markave të ndryshme dhe një pajisje elektronike tablet.