Kushtetuesja deklaron përfundimin e mandatit për dy gjyqtarë të saj

0

Nëse Kuvendi, Presidenca dhe Gjykata e Lartë nuk veprojnë në kohë, Shqipëria mund të mbetet sërish me një Gjykatë Kushtetuese jofunksionale, pasi mandatet e dy anëtarëve të kësaj gjykate përfundojnë brenda muajit maj.

Përparim Kalos dhe Altin Binajt, që zëvendësuan Fatos Lulon e shkarkuar nga vettingu dhe Besnik Imerajn të dorëhequr u përfundojnë mandatet në prill dhe maj të këtij viti. Vendimi për deklarimin e përfundimit të mandateve të këtyre dy anëtarëve është marrë nga vetë Kushtetuesja.

Kalo, i zgjedhur në Kushtetuese nga ana e Presidentit të Republikës plotësoi vakancën e lënë bosh nga Besnik Imeraj. Atij i përfundon mandati më 8 prill. Ndërkohë, Altin Binajt, që plotësoi vakancën e Fatos Lulos i mbyllet mandati më 2 maj.

Para përmbylljes së mandatit, dy gjyqtarët do të kalojnë nëpër duar një sërë vendimesh, i pari më 18 janar, ku do të shqyrtohet në seancë plenare nga Kushtetuesja raporti dhe vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Largimi i tyre prej Kushtetueses do të zbriste numrin e anëtarëve në këtë gjykatë në pesë të tillë, duke llogaritur edhe Vitore Tushën, mandati i së cilës ka përfunduar prej kohës. Megjithatë, që të dy gjyqtarët mund të zgjedhin që të vijojnë detyrën deri kur ata të zëvendësohen nga Kuvendi dhe Presidenti, sipas procedurave të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji, ku rol kryesor merr Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Sa u takon tre vendeve që i takojnë Gjykatës së Lartë, që do të plotësonte Kushtetuesen me nëntë anëtarë, plotësimi i tyre duket ende i largët. Gjykata e Lartë ka hapur procedurat për këto vakanca, por asaj i mungon numri i nevojshëm i anëtarëve për të përmbyllur këtë proces./GazetaSi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu