3 persona janë shoqëruar nga policia pas atentatit të ndodhur pas mesnatës së të hënës në Larushk, ku mbeti i vrarë Ramazan Sino, dhe të plagosur dy djemtë e mitur të Gentian Bejtjes, 8 dhe 13 vjeç. Pikërisht Bejtja dyshohet se ka qenë dhe shënjestër e atentatit mafioz nga ana e autorëve.
Burime bëjnë me dije se personat e shoqëruar mund të kenë dijeni në lidhje me atentatin, ndërkohë që policia ka ushtruar kontroll dhe në banesat e tyre, për të gjetur ndonjë lidhje të mundshme me krimin.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë mbrëmë, për ngjarjen e ndodhur në oborrin e banesës së shtetasit G. B., ju bëjmë me dije se:
Ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra shtetasi R. S., 29 vjeç, si dhe janë plagosur dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, dy të mitur të moshës 13 dhe 10 vjeç, (nipat e shtetasit R. S).
Me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar, shërbimet e Policisë kanë ushtruar 3 kontrolle në 3 banesa si dhe kanë shoqëruar 3 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Në përfundim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen, do të ketë një njoftim për shtyp në vijim.