TIRANË– Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra Prokurorin e Gjirokastrës, Emror Kasaj. Ky i fundit u përball për herë të dytë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 5 maj lidhur me problemet në kriterin e figurës dhe profesionalizmit.
Kasaj rezulton me balancë negative në vlerën e 31 milionë lekëve. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar fillimisht përshtatshmërinë e prokurorit Kasaj për të vazhduar detyrën. Pas përditësimit të raportit janë referuar informacione për përfshirjen e tij në korrupsion pasiv dhe për ndikim të paligjshëm në një proces penal.
Prokurori u përball me Vetingun me 17 mars për vlerësimin e ligjshmërisë së pasurisë dhe kriterin etik dhe profesional. Emror Kasaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si oficer i Policisë Gjyqësore. Prej vitit 2015, ai ushtron funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër.