Brunei i ka hequr vizat për shtetasit e Kosovës, duke u bërë vendi i dytë nga Azia Juglindore brenda javësh që mundëson udhëtim pa viza për kosovarët pas Malajzisë, njoftoi të hënën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani njoftoi se – gjatë vizitës së saj shtetërore në Brunei, e ka nënshkruar një marrëveshje bashkë me sulltanin dhe kryeministrin e Bruneit, Sultan Haji Hassanal Bolkiah, për heqjen e vizave ndërmjet dy vendeve.
“Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe një lehtësim konkret për qytetarët tanë, duke përmirësuar ndërlidhjen, shkëmbimet kulturore dhe ekonomike”, tha Osmani.
Brunei – një sulltanat i pavarur islamik – ndodhet në bregun verior të ishullit Borneo në Azinë Juglindore. Në veri kufizohet me Detin e Kinës Jugore, ndërsa në të gjitha anët e tjera kufizohet me shtetin lindor Saravaku të Malajzisë.
Osmani e cilësoi këtë marrëveshje si “një tjetër dëshmi e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe sulltanatit të Bruneit”.
Kosova dhe Brunei kanë lidhje zyrtare diplomatike, megjithëse të kufizuara. Kosova nuk ka ambasadë apo konsullatë në Brunei dhe Brunei nuk ka përfaqësi diplomatike në Prishtinë.
Brunei e njohu pavarësinë e Kosovës më 2012, katër vjet pasi Prishtina e shpalli atë nga Serbia më 2008.