Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara, në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kapën dhe ndaluan shtetasin A. B., 54 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 22.12.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. G., 41 vjeç, pasi ka prishur qetësinë publike duke hedhur kapsolla. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën disa pako me kapsolla, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. D., 62 vjeç, pasi në aksin rrugor “Qafë Thanë-Librazhd”, me automjetin që drejtonte, ka aksidentuar shtetasin N. H., 67 vjeç, këmbësor, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.





