Qarku Elbasan – Kronikë policore
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal ndaj shtetasit A. M., 59 vjeç. Ai dyshohet se, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta një 43-vjeçar.
Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori, duke nisur procedimin penal ndaj shtetasit F. S., 53 vjeç, i cili dyshohet se ka goditur me grushte një 59-vjeçar, gjithashtu për motive të dobëta.
Në fushën e qarkullimit rrugor, u referuan materialet në Prokurori për dy shtetas:
Y. S., 33 vjeç, pasi në aksin “Peqin–Elbasan”, duke drejtuar automjetin, ka përplasur këmbësoren V. R., 58 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën;
R. H., 63 vjeç, pasi ka përplasur një karrocë që drejtohej nga shtetasi E. Dh., 37 vjeç. Si pasojë, ky i fundit është dëmtuar lehtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa është dëmtuar edhe kafsha që tërhiqte karrocën.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve shpallën në kërkim shtetasin A. T., 23 vjeç, i cili dyshohet se ka plagosur lehtë me mjet shpues (kaçavidë) një 21-vjeçar. Vijon puna për kapjen e tij.
Shtetasja S. F., 22 vjeçe, ka kallëzuar se është kanosur dhe fyer nëpërmjet thirrjeve dhe mesazheve telefonike. Po punohet për identifikimin e autorëve.
Gjithashtu, mëngjesin e sotëm, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se si pasojë e amortizimit të rrjetit elektrik ka rënë zjarr në banesën e shtetasit M. B. Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.





