Lajme nga kronika në qarkun e Elbasanit

0

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin M. K., 36 vjeç, që ia ka caktuar Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen E. Rr., 48 vjeçe, punonjëse e degës postare Elbasan, pasi dyshohet se ka përvetësuar 330 000 lekë nga pagesat që kryhen në postë, duke vepruar në sistemin elektronik të institucionit, me kredencialet e një kolegeje të saj.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin R. A., 26 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. L., 25 vjeç, pasi në aksin rrugor “Gramsh–Kodovjat”, motomjeti që ai drejtonte në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin V. Rr. Si pasojë është dëmtuar drejtuesi i motomjetit, shtetasi B. L., i cili është në kujdesin e mjekëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.