Lajmi i fundit/ Tjetër sulm me armë në një shkollë në Turqi, raportohet për të plagosur

0

Një ngjarje e rëndë ka tronditur jugun e Turqisë, ku të paktën një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë të mesme.

Të shtënat u raportuan në Shkollën e Mesme Aysel Çalik, në lagjen Onikishubat të qytetit Kahramanmarash, duke vënë në lëvizje një numër të madh forcash policore dhe ekipesh mjekësore që mbërritën menjëherë në vendngjarje.

Guvernatori i Kahramanmarash, Mykerrem Ynlyer, konfirmoi incidentin, duke deklaruar se shkaqet e sulmit mbeten ende të paqarta. Ai bëri të ditur se ka persona të plagosur dhe viktima, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sipas informacioneve paraprake, i dyshuari fillimisht ka qëlluar në ajër në oborrin e shkollës, përpara se të hynte në ndërtesë dhe të vazhdonte të qëllonte. Shërbimet e emergjencës reaguan pas njoftimeve në linjën 112, duke transportuar të plagosurit në spital, ndërsa forcat e sigurisë rrethuan zonën.

Deri më tani, nuk janë bërë të ditura identiteti i autorit dhe numri i saktë i viktimave, ndërsa hetimet vijojnë.