Lehtësohen procedurat për regjistrimet në universitet/ Më pak raunde dhe bursë për ata që…

0

Maturantët do të kenë procedura të lehtësuara për regjistrimin në universitet për vitin e ardhshëm akademik.

Ministria e Arsimit ka miratuar udhëzimin me ndryshimet për hyrjen në institucionet e arsimit të lartë, ku së pari ka ulur numrin e raundeve online nga 3 në dy, duke shkurtuar kohën e aplikimit dhe duke afruar si rrjedhojë datën e nisjes së vitit akademik, që është vendosur të jetë më 2 tetor.

Për shkak të rënies së numrit të të rinjve, për të dytin vit caktohet një fazë e lirë regjistrimesh për universitetet të cilët nuk kanë mbushur vendet në degët e studimit, duke i shpëtuar nga mbyllja.

Të gjithë maturantët që janë pjesë e portalit të aplikimit universitar u-Albania, por që nuk kanë arritur të fitojnë një nga 10 programet e studimit që kishin renditur në dy raundet online, kanë një mundësi të tretë të regjistrohen fizikisht në Fakultete ku kuotat u kanë mbetur ende të paplotësuara.

Një risi tjetër e këtij viti është zgjerimi i listës së programeve me prioritet kombëtar, ku do të përfshihen vitin e ri akademik edhe degët e arsimit fillor, histori-gjeografi, inxhinieri fizike. Të gjithë maturantët që zgjedhin këto programe do të përfitojnë bursë mujore sa paga minimale, me kushtin që pas diplomimit të punojnë në institucione shtetërore për të paktën 3 vite.

Ndryshe nga viti i shkuar, ku kriter për të përfituar bursën ishte mesatarja e shkollës së mesme mbi 8.5, këtë kjo strategji nuk do të jetë vetëm për nxënësit më të mirë, por gama e përfituesve do të jetë edhe më e madhe.

Ministria e Arsimit ka caktuar kuota bursash për cdo universitet publik që të shpërndahen në bazë të nevojave më emergjente te programet e studimit të cilat rrezikojnë mbylljen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu