Lejet e ndërtimit jo rezidenciale, Korça kryeson për hotelet, Tirana për objektet tregtare

0

Sektori i ndërtimit është përfshirë në zhvillime të vrullshme vitet e fundit, ku dominojnë lejet për banesa, të cilat janë përqendruar kryesisht në Tiranë, por objektet e tjera që nuk kanë për qëllim banimin kanë një shpërndarje interesante.

P.sh. gjatë 2018-2021 gati 27% lejeve për hoteleri në rang vendi u dhanë në Korçë, ndërsa në vitin 2021, Qarku i Tiranës shënoi rritjen vjetore më të lartë në numrin e lejeve të miratura për “Ndërtesa tregtare”.

Korça është shndërruar në një nga destinacionet kryesore për turizmin e brendshëm vitet e fundit, aq sa për raste fetash, sidomos në fund të vitit duhet rezervim disa muaj para.

Flukset e larta të turizmit kanë rritur nevojën për ndërtimin e hoteleve në këtë rajon, i cili ofron shërbimet gjithëvjetore të turizmit. Si rezultat i zhvillimeve pozitive në turizëm dhe bujqësi, vitin e kaluar Korça u rendit me konsumin më të lartë për familje pas Tiranës.

Shpenzimet e familjeve në Korçë janë rritur me ritmet më të shpejta në raport me qarqet e tjera. Shkak për këtë rritje është bërë një model ekonomik rajonal që bashkia e qytetit ka ndërmarrë ndër vite për të zhvilluar turizmin në mënyrë të organizuar.

Gjatë harkut kohor 2018-2021, janë miratuar gjithsej 4.645 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, mesatarisht rreth 1.161 leje të miratuara për çdo vit. Sipas qarqeve, numri më i lartë i lejeve të ndërtimit të miratuara në këtë katërvjeçar, paraqitet në Tiranë me 1.490 leje ose 32,1% e numrit gjithsej të lejeve të miratuara në nivel vendi.

Kërkesa për leje ndërtimi për ndërtesa për banim dominon në krahasim me kërkesat për ndërtesa të tjera si: hotele dhe të ngjashme, zyra, industriale, tregtare apo të tjera.

Lejet e miratuara për ndërtesa banimi në vitet 2018-2021 zënë 69,6% të numrit gjithsej të lejeve, ndërsa lejet e ndërtimit të miratuara për ndërtesa të tjera zënë 30,4% të këtij treguesi.

Gjatë viteve 2018-2021, rreth 71,4% e sipërfaqes së lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja është përqendruar në qarkun e Tiranës, ndërsa qarku Dibër paraqitet me vlerën më të ulët të këtij treguesi me rreth 0,4%. Sipërfaqja mesatare e një leje ndërtimi referuar të njëjtës periudhë kohore është rreth 1.591 metra katrorë.

Numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për “Ndërtesa zyra” në vitin 2021 shënoi rënie prej 25,0%, krahasuar me vitin 2020.

Gjatë vitit 2021, Qarku i Tiranës shënoi rritjen vjetore më të lartë në numrin e lejeve të miratura për “Ndërtesa tregtare” me 85,7%. Qarqet Fier dhe Durrës paraqiten me numrin më të lartë të lejeve të miratuara për “Ndërtesa të tjera” me përkatësisht 23 dhe 17 leje të miratuara gjithsej, ose rreth 45,5% e lejeve të miratuara të këtij treguesi në Shqipëri gjatë vitit 2021.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu