Lejuan shtrimin e rrugëve në Belsh para zgjedhjeve/ Prokuroria e Elbasanit ndalon katër persona, dy të tjerë në kërkim

0

Teksa subjektet politike kanë rënë në heshtje zgjedhore, mesditën e sotme prokuroria e Elbasanit ka nisur një operacion duke kryer një valë arrestimesh në këtë qytet.

Bëhet fjalë për zyrtarë të Partisë Socialiste që janë përfshirë në veprimtari kriminale, kryesisht në “Shpërdorim të detyrës” dhe “Korrupsionit zgjedhor” dhe ndërtimit pa leje.

Mësohet se e përfshirë në krim zgjedhor është kompania “Vëllezërit Hysa”, e cila ka shtruar asfalt elektoral vetëm një javë para zgjedhje të 11 Majit, teksa procedimi është regjistruar bazuar në një denoncim të kandidatit të PD, Dritan Cani.

Janë lëshuar 4 masa arresti ku për momentin dy janë ekzekutuar dhe dy të tjerë vijojnë të kërkohen nga policia.

Burime bëjnë me dije se dy prej katër personave për të cilët ka një urdhër-ndalimi janë administratorët e kompanisë “Vëllezërit Hysa”, shtetasit Besnik Hysa dhe Dhiogjen Kristo, të cilët janë shpallur në kërkim.

Ndërkohë, për dy personat e tjerë mësohet se është ekzekutuar urdhri i ndalimit.

Nga ana e subjektit “V.H.” shpk është kryer vepra penale e “Ndërtimit të paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 i Kodit Penal. Sa me sipër në datë 10.05.2025 nga Prokurori i çështjes është urdhëruar ndalimi i të dyshuarve për një krim shtetasve Fation Muca, Lorenc Hoxha, Dh.K. dhe Besnik Hysa. 

Ndërkohë në policinë e Elbasanit janë shoqëruar dhe 7 persona të tjerë të cilët aktualisht po meren në pyetje nga oficerët e prokurorisë.

Pyetja e tyre ska lidhje me këtë procedim për zyrtarët e Belshit, por për 3 dosje të tjera që janë hapur dhe po hetohen nga prokuroria e Elbasanit…

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 446 të vitit 2025 për veprën penale të “Shpërdorim detyre”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Moskallëzim i krimit” të parashikuar nga nenet 248, 328/a/4, 199/a/3 dhe 300 i K.Penal,

Në datë 05.05.2025, ora 08:30, nga këqyrja në rrjetin social “Facebook”, është shfaqur postim “Asfalt elektoral në Belsh”, në video dallohet një kamion me mbishkrimin “V. H.” dhe mbrapa saj një mjet që shtron asfalt. Në këmbë gjendet kandidati i një koalicioni zgjedhor shtetasi D.C. Ky shtetas në video mes të tjerash relaton se: “I bëj thirrje Kryetarit të Bashkisë Belsh, që pse shtrohet ky asfalt tani, një javë para zgjedhjeve”.

Në kuadër të këtij procedimi janë kryer disa veprime hetimore si kqyrja e vendit të ngjarjes, kqyrja dhe sekuestrimi i dokumentacionit mbi punimet në rrugë (praktika e mbajtur nga ana e Bashkisë Belsh dhe nga subjekti “V.H” shpk), administrim i deklarimeve të personave që kanë dijeni rreth veprës penale.