KOSOVË- Qeveria e Kosovës përmes një komunikate, të shtunën, ka treguar se lëvizjet e ushtrisë serbe në drejtim të Kosovës janë bërë në tri drejtime, një në pjesën e kufirit verior të Kosovës, e dy të tjera në atë lindor. Më parë për këtë ka alarmuar SHBA-ja.
Në komunikatë thuhet se kjo lëvizje paraqet kërcënim për integritetin territorial të Kosovës.
”Qeveria e Republikës së Kosovës me vëmendje dhe vigjilencë është duke ndjekur zhvillimet e fundit sa i përket lëvizjes së njësive ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në drejtim të vijës kufitare me Republikën e Kosovës. Lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tre drejtime të ndryshme; njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës“, thuhet në njoftim.