Librazhd/ Djeg sipërfaqe me shkurre dhe pemë në Xhyrë, procedohet autori i dyshuar

0
Screenshot

Një zjarr i ndezur në mënyrë të qëllimshme në pyllin e fshatit Xhyrë, në Librazhd, ka shkaktuar djegien e një sipërfaqeje toke me shkurre dhe pemë. Falë veprimeve të shpejta hetimore, Policia e Librazhdit ka identifikuar autorin e dyshuar dhe ka nisur procedimin penal ndaj tij.

Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Librazhd kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për shtetasin R. B., banues në fshatin Xhyrë, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr në pyll, duke shkaktuar përhapjen e flakëve dhe djegien e bimësisë.

Për shkak të moshës së tij, autori i dyshuar është proceduar në gjendje të lirë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon fort ndaj qytetarëve që të mos ndërmarrin veprime të tilla të rrezikshme, të cilat jo vetëm dëmtojnë mjedisin, por edhe përbëjnë vepra penale që ndëshkohen nga ligji.

Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie në numrin 112, duke garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë.