Një tentativë për kultivimin e bimëve narkotike është goditur në fazë fillestare në fshatin Xhyrë të Librazhdit, në kuadër të operacionit anticannabis të koduar “Faza e parë”.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga janë vënë dy shtetas, 24 dhe 26 vjeç, të cilët u kapën në flagrancë në një zonë të pyllëzuar, ku kishin kultivuar fidanë të dyshuar Cannabis Sativa në platforma polistiroli.
Gjatë operacionit u bë asgjësimi i fidanëve, ndërsa u sekuestruan edhe automjeti që autorët përdornin për të shkuar në zonë, si dhe tre telefona celularë.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.





