Rreth orës 23:00 të së hënës, dy persona të armatosur kryen një grabitje në një pikë karburanti në fshatin Semës, njësia administrative Qendër, vetëm 1 kilometër larg qytetit të Librazhdit.
Autorët kërcënuan punonjësit me armë zjarri dhe u larguan duke marrë një shumë të konsiderueshme parash.
Menjëherë pas njoftimit, forcat e Policisë së Librazhdit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nisën veprimet hetimore dhe arritën në një kohë rekord të identifikojnë e të ndalojnë autorët e dyshuar.
Dy personat e arrestuar, të dy banorë të qytetit të Elbasanit, ndodhen aktualisht në paraburgim.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të verifikuar nëse ata kanë lidhje edhe me raste të tjera kriminale.





