Lideri serb i Bosnjës: Putini dhe Kina do të ndihmojnë nëse Perëndimi vendos sanksione

0

Udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik, i cili është akuzuar për nxitje dhune, duke motivuar shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës ka hedhur poshtë kërcënimin për sanksione nga vendet perëndimore dhe ka lënë të kuptojë për një samit të afërt me Vladimir Putin, duke deklaruar: “Unë nuk u zgjodha për të qenë frikacak”.

Në një intervistë për The Guardian, anëtari serb i udhëheqjes trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës tha se nuk do të pengohej për të vënë në zbatim planin e tij nga protestat e Londrës, Uashingtonit, Berlinit dhe Brukselit.

Dodik, 62 vjeç, një figurë kyçe në politikën boshnjake për 30 vjet, i cili dikur ishte i preferuari i perëndimit, këmbëngul se planet e tij nuk duhet të çojnë në fundin e Bosnje-Hercegovinës.

Ai tha se sanksionet dhe shkurtimet e fondeve të BE-së vetëm do ta detyronin atë të pranonte ofertat për investime nga Kina.

“Madje mendoj se kjo më pëlqen”, tha Dodik.

Sipas tij, kur viziton Kremlinin, Putin nuk ka kërkesa, veçse është i gatshëm për ta ndihmuar.

“Për çfarë kam diskutuar me të, nuk më ka mashtruar kurrë. Nuk e di se mbi çfarë tjetër ta bazoj besimin”, tregon ai.

Në lidhje me udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping, Dodik tregon se është i gatshëm për ta ndihmuar.

“Nëse ka diçka që mund të ndihmoj, jam atje”.

Ai është kritikuar javët e fundit për deklaratat e tij për të tërhequr pjesën serbe të Bosnje-Hercegovinës nga institucionet shtetërore, si administrata tatimore, gjyqësori, agjencia e inteligjencës dhe ushtria, me qëllimin për të krijuar një forcë serbe.

Një propozim i tillë është përshkruar në një raport për OKB-në, si i barabartë me “ndarje” dhe një rrezik i madh që hedh në erë marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës civile që la pas rreth 100 mijë viktima pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ajo marrëveshje krijoi një shtet, Bosnje-Hercegovinën, që përbëhet nga dy entitete: Fedarata e Bosnje-Hercegovinës, ku pjesë e saj janë muslimanë dhe kroatë boshnjakë dhe Republika Serbe. Presidenca prej tre anëtarësh e Bosnjës mbahet nga përfaqësues të këtyre tre grupeve etnike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu