Lidhja Rusi-Serbi/ Kurti i ‘shqetësuar’: Putin na përmendte një herë në muaj, tani çdo 2 ditë

0

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për prestigjiozen franceze “Le Monde” ka folur në mënyrë të detajuar për shqetësimin e Kosovës sa i përket lidhjeve të forta në mes të Serbisë dhe Rusisë, sidomos pas agresionit që Vladimir Putin ka nisur në Ukrainë.

I pyetur nga gazeta franceze se pse e shqetësojnë lidhjet në mes të serbëve dhe rusëve, Kurti ka thënë se Beogradi dhe Moska janë të lidhur shumë më fortë nga sa e imagjinojnë njerëzit, dhe se kjo lidhje e tyre është në të gjitha fushat, duke përmendur Gazpromin, Sputnikun dhe lidhjet e inteligjencës ruso-serbe.

Kurti tutje ka folur edhe për atë se a ndikohen njejtë edhe minoriteti serb që jetojnë në Kosovë. Kreu i ekzekutivit ka thënë se fatkeqësisht edhe në Kosovë ka organizata të së djathtës ekstreme serbe që njërën këmbë e kanë në Beograd dhe tjetrën në Moskë.

“Vërej se Putin e përmendte një herë në muaj “precedentin” e Kosovës [ndërhyrja e NATO-s në 1999], tani e bën çdo dy ditë për të justifikuar politikën e tij hegjemoniste në Ukrainë, e ndoshta diku tjetër. Mund ta quajmë një pushtim rus, ose një agresion ushtarak. E gjithë kjo është e vërtetë. Mund të flasim edhe për imperializmin rus. Por ajo që shoh vetë është edhe fashizëm”, ka shtuar tutje Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se kreu i Kremlinit është futur në një rrugë qorre dhe se s’do të mund të tërhiqet. Prandaj Kurti thotë se Kosova është e shqetësuar, meqë duket qartë se Putin tenton ta përhapë luftën e tij edhe më tej.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu