Katër persona janë kapur në Kopshtin Zoologjik në Shkup, në tentim për të plaçkitur. Të njëjtit kishin kaluar me sukses murin, por brenda kopshtit një luan ua kishte prishur planet.
Luani më i ri në kopsht, me emrin “Çaka”, me të dëgjuar “mysafirët e paftuar” kishte filluar të ulurasë. Në bazë të ulurimave, roja e kopshtit ka reaguar menjëherë dhe i ka kapur hajnat.
“Personat kanë hyrë në kopsht duke e kapërcyer gardhin te barakat e Qytetit të Shkupit. Policia dhe roja i kanë takuar te vendi ku jeton luani i bardhë Çaka, i cili për momentin ka qenë në vendbanimin e jashtëm. Luani i ka parë personat, është afruar te gardhi dhe ka filluar fuqishëm të ulërijë. Ai ka qenë sinjal për policinë që më lehtë t’i gjejë, me ç’rast edhe janë arrestuar”, thotë Gjorgji Galetanovski, drejtori i Kopshtit Zoologjik.
Galetanovski ka arritur në Kopshtin Zoologjik kur policia i ka kapur personat dhe thotë se kanë qenë të frikësuar dhe dridheshin nga reagimi i luanit Çaka.