SHBA- SHBA ka miratuar transferimin në Ukrainë të avionëve luftarakë F-16 të prodhimit amerikan nga Danimarka dhe Holanda, kur pilotët ukrainas të jenë plotësisht të trajnuar për t’i operuar ato.
“Në këtë mënyrë, Ukraina mund të përfitojë plotësisht nga aftësitë e saj të reja,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA.
Ukraina vlerësoi vendimin për të cilin ishte përpjekur fort që nga viti i kaluar. Por pritet të kalojnë muaj para se Kievi të jetë në gjendje të përdorë F-16 për të luftuar epërsinë ajrore të Rusisë. Holandezët mendohet se kanë rreth 24 F-16 operativë të cilët janë planifikuar të nxirren jashtë shërbimit dhe të zëvendësohen me avionë luftarakë më të avancuar.
Danimarka po planifikon gjithashtu një përmirësim të flotës së saj prej rreth 30 F-16. SHBA dhe aleatët e saj kishin përjashtuar më parë mundësinë e ofrimit të F-16 për Ukrainën, nga frika se kjo do të çonte në përshkallëzim të mëtejshëm me një Rusi të armatosur me armë bërthamore. Rusia, e cila nisi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, deri më tani nuk ka bërë asnjë koment publik mbi këtë çështje.