TIRANË- Luiza Gega e shpallur kampione e Evropës në 3000 metra vrapim me pengesa ishte e ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Opinion’ në Tv Klan së bashku me trajnerin e saj Taulant Stërmasi.
Gega ka treguar se prej 7 vitesh stërvitet në Kenia, në Afrikë. Sipas saj, janë dy faktorë që e bëjnë këtë vend si të preferuar për të kryer stërvitje. Një është klima dhe dy është lartësia.
Blendi Fevziu: Ju e njihni atletikën e Afrikës sepse ju jeni stërvitur në Kenia, apo jo?
Luiza Gega: Unë në fakt kam 7 vite që të paktën në periudhën e dimrit ne shkojmë dhe kryejmë stërvitje në Kenia.
Blendi Fevziu: Pse zgjodhët Kenian?
Luiza Gega: Prej të ngrohtit, se është e rëndësishme që të jetë edhe ngrohtë, duke qenë se je më larg lëndimeve. Arsyeja e dytë është për shkak të lartësisë. Kryesisht sportistët e distancave, siç jam edhe unë qendrojnë prej shumë muajsh duke u stërvitur në lartësi, duke qenë se ka mungesë oksigjeni, rriten parametrat biologjik, si rruazat e kuqe, hemoglobina etj. Kur zbret pastaj në vende për të garuar ke një freski më të madhe. Këtë bëjnë të gjithë sportistët elitar në botë.
Blendi Fevziu: Sa muaj qëndron në Kenia?
Luiza Gega: Duhet të qëndrosh minimumi tre javë. Unë mundohem të rri më gjatë.