Lul Berisha del para Gjykatës në Spanjë: Mos më ekstradoni! Kam frikë nga hakmarrja

0

Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha ka dalë këtë të martë përpara Gjykatës Kombëtare Spanjolle, për procesin e ekstradimit të tij drejt vendit tonë.

Lulzim Berisha i ka kërkuar Gjykatës që të mos i aprovojë ekstradimin e tij, me pretendimin se kishte frikë për jetën e tij nga hakmarrja nga grupet kriminale për veprimet që ka bërë në të kaluarën.

Gjatë seancës, ish-kreu i bandës së Durrësit e ka përshkruar veten si një sipërmarrës dhe është penduar që familja e tij duhej të ikte në Suedi nga frika e hakmarrjeve. Nga ana tjetër, ai ka treguar se mund të përfitojë pjesërisht nga një ligj amnistie i miratuar nëShqipëri, se Prokuroria shqiptare ka kërkuar mbylljen e hetimeve në lidhje me sulmin me bombë në ashensor dhe se ka kërkuar azil në Spanjë.

Prokurorja e Gjykatës Kombëtare nga ana e saj, në lidhje me kërkesën për të mos u ekstraduar për shkak të rrezikut për jetën, ka theksuart se i është dorëzuar vetëm një dokument i vitit 2015 që aludon për atë rrezik por jashtë burgut. Pra, është kuptuar se nuk ka frikë racionale në rastin kur lihet në duart e organeve të shtetit kërkues.

Në lidhje me hakmarrjen e mundshme të pretenduar nga mbrojtja, Prokuroria shpjegoi se kjo mundësi “është një ndjenjë e zakonshme njerëzore në shumicën e kulturave”, por ka sqaruar se është kontradiktore që ai ta pretendojë këtë dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar largimin e tij të parakohshëm nga burgu.

Në raportin e saj, avokatët e Lul Berishës kanë kundërshtuar ekstradimin dhe janë ndalur te “kaosi” me të cilin Shqipëria ka bërë kërkesën për ekstradim, raportojnë mediat e huaja.

Nga ana tjetër, avokati ka theksuar se nëse e ndjen se është në rrezik jeta e klientit të tij, ai nuk duhet të dorëzohet. Dhe kujtoi se ka raporte të policisë që tregojnë se ai mund të jetë objekt hakmarrjeje për ngjarjet e kaluara. “I hodhën granatë, donin ta vrisnin, i vunë bomba…”, shpjegoi ai, duke përfunduar duke kërkuar që Gjykata Kombëtare të veprojë si drejtësi me prokurë që ai të vuajë dënimin në këtë vend.

Lulzim Berisha u vu në pranga të dielën e 10 Dhjetorit në një provincë të Alicantes në Madrid, në kuadër të operacionit të koduar “Sant Joan”, si rezultat i bashkëpunimit të FAST Albanias me FAST Spanjën. Dyshohet se ai qëndronte aty prej një kohë të gjatë dhe pas marrjes së informacioneve të siguruara përmes inteligjencës policore, autoritetet shqiptare ua kanë përcjellë ato atyre spanjolle dhe më pas është kryer arrestimi.

Ai njihet si truri i “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda në vend. Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Lulzim Berisha ishte në kërkim prej dy vitesh nga drejtësia shqiptare dhe konsiderohet një person me rrezikshmëri të lartë. Pas arrestimit të bujshëm të 6 prillit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli. Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2014 rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi gjatë viteve 2015-2016 dhe fitoi lirinë me kusht nga Gjykata e Apelit të Durrësit, edhe falë mbështetjes së ish-kreut të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili i dha gjykatës garanci se Berisha do të punësohej në Bashkinë e Durrësit, nëse ai nuk gjente punë në sektorin privat.

Vendimi u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë në dhjetor të vitit 2021, duke e rikthyer Berishën në listën e personave të kërkuar. Në dhjetor 2020, SPAK e akuzoi Berishën dhe kunatin e tij edhe për vrasjen e Vajdin Lamajt, por tre vjet më vonë, prokurorët kërkuan pushimin e akuzave në gjykatë për mungesë provash.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu