Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në aksin rural Fier–Shegan – Pushimi i Shoferit, ku një 45-vjeçare ka përfunduar në spitalin e Lushnjës me plagë të shumta në trup dhe kokë.
E plagosura, shtetasja M. D., banuese në fshatin Toshkëz, po kthehej nga puna me motoçikletë kur humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga rruga. Ajo u transportua me urgjencë nga ambulanca dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Sipas burimeve nga Policia e Qarkullimit Rrugor, gruaja nuk kishte vendosur kaskë mbrojtëse në momentin e aksidentit, çka ka ndikuar në rëndimin e plagëve. Mjekët raportojnë se ajo është jashtë rrezikut për jetën, por po monitorohet nga afër për shkak të traumave të marra.
Efektivët e policisë, të cilët kanë kryer dokumentimin e ngjarjes, bëjnë me dije se vetë 45-vjeçarja ka deklaruar se aksidenti ndodhi pasi një dhelpër i kishte dalë papritur para në rrugë, duke e detyruar të devijonte dhe më pas të rrëzohej.





