Evropa vazhdon të “luajë violinën e dytë” pas Shteteve të Bashkuara kur bëhet fjalë për mbrojtjen e sigurisë së kontinentit të saj. Kjo mund të konkludohet nga lëvizjet e bëra nga liderët e SHBA-së, BE-së dhe NATO-s kundrejt konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës. Presidenti amerikan Joe Biden ka dislokuar mijëra trupa në Evropën Lindore me iniciativën e tij, pa pritur që NATO të shpallë me një njoftim zyrtar. Po ashtu, deri më tani, Biden ka urdhëruar që 3,000 trupa të vendosen për të ndihmuar aleatët evropianë për të qenë në gatishmëri.
Ndërkohë që Vladimir Putin pranon që të flasë me liderë të tjerë dhe do të përpiqet të përfitojë nga çdo dobësi në unitetin e Perëndimit për të takuar më pas personalisht vetë Joe Biden. Megjithatë sot priti homologun francez, Emmanuel Macron, i cili u kërkoi të gjithëve që nga bisedimet e tij të mos prisnin mrekulli. Pas pesë orësh negociatash, Macron paralajmëroi se të dy palët duhej të punonin shpejt për të shmangur rrezikun e një përshkallëzimi.
“As Rusia, as evropianët nuk duan kaos apo destabilitet, kombet kanë vuajtur nga pandemia e koronavirusit. Pra, ne duhet të biem dakord për masa konkrete,”– tha ai duke paralajmëruar një vizitë të martën edhe në Kiev, për të biseduar me presidentin, Volodymyr Zelenskiy. Ai tha se planifikon të informojë Putinin mbi rezultatet e diskutimeve me anë të një telefonatë. Nuk është e qartë se si diplomacia e Macron-it mund të kënaqë kërkesat e Rusisë, e cila kërkon me ngulm që anëtarësimi i Ukrainës në NATO të mos diskutohet më. Pa hyrë në detaje, Putin tha se ishte e mundur të shqyrtoheshin “një numër propozimesh dhe idesh të Macroni. Se cilat janë…ende nuk i ka bërë me dije.
Gjithashtu Putin nuk i kurseu as kritikat lidhur me politikën e dyerve të hapura të NATO-s, duke shtuar se e gjitha sjell vetëm përfitime për SHBA-të e askënd tjetër. E po ashtu, ofroi azil politik për rivalin e presidentit Zelenskiy të Ukrainës, Petro Poroshenko, i cili akuzohet për tradhëti në vendin e tij. Sipas Zelenskiyt, Poroshenko ka financuar serparatistët rus që veprojnë në Ukrainë. Ndërkohë që Franca nisi me diskutimet, Mbretëria e Bashkuar është mjaftuar vetëm me deklarata të ashpra, duke kërkuar që SHBA të jetë ndërmjetësja e zgjidhjes së konfliktit. Edhe pse kryeministri britanik Boris Johnson ka vizituar së fundmi Ukrainën dhe ka biseduar në telefon me Putinin, askush nuk pret që ai të ketë një ndikim të veçantë në qetësimin e tensioneve, veçanërisht duke pasur parasysh problemet me të cilat po përballet me qeverinë e tij.
Nga ana tjetër edhe Gjermania duket tejet pasive dhe heziton të marrë ndonjë rol. Por të gjitha vendet e BE-së janë në disavantazh pasi furnizohen drejtpërdrejtë nga Gazprom-i dhe një VETO e Rusisë, mund t’u hapte problem për ekonominë e tyre. Po ashtu, edhe Putin nuk ka vullnetin që t’i dëgjojë, pasi nuk kanë as burimet e as vullnetin politik për të qetësuar situatën. Vetëm superfuqitë mund të jenë vërtet sovrane. E vetmja deri më tani është SHBA-ja! E vetmja që Putin do të marrë seriozisht!
SI KA NISUR KONFLIKTI MES RUSISË DHE UKRAINËS?
Konflikti i tyre ka më shumë se shtatë vite që vijon. Ukraina kaloi dy revolucione në 2005 dhe 2014, të dyja herë duke hedhur poshtë pretendimet e Rusisë e duke kërkuar një rrugë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe NATO. Putini është shprehur se bashkimi i Ukrainës me aleancën transatlantike të udhëhequr nga SHBA do të shënonte kalimin e vijës së kuqe. Përveç arsyeve ideologjike dhe politike, Putini kishte kërkuar dëshpërimisht anëtarësimin e Ukrainës në një bllok të tregtisë së lirë të dominuar nga Moska, i cili filloi në vitin 2000. Në pranverë të vitit të kaluar, dhjetëra mijëra trupa u vendosën pranë Ukrainës dhe në qershor, e Putin pati takimin e tij të parë ballë për ballë me Presidentin e SHBA Joe Biden, ku edhe u paralajmëruan sanksione më të ashpra ekonomike dhe një rivendosje të trupave të NATO-s në Evropë. Ndërsa edhe këtë vit, tensionet janë rritur sërish pas kërkesës së Ukrainës për t’u bërë pjesë e NATO-s.