Presidenti francez Emanuel Macron do të jetë në Tiranë në muajin maj, në vizitën e dytë zyrtare në Shqipëri që korrespondon edhe me Samitin e Komunitetit Politik Europian të 16 Majit.
Lajmi u bë i ditur nga ministri Igli Hasani gjatë takimit me ministrin Francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, i cili ka nisur një vizitë dy-ditore në Shqipëri.
Gjatë takimit, të dyja palët kanë nënvizuar angazhimin e përbashkët për integrimin evropian, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Sipas ministrit Hasani, vizita e Haddad është reflektim i marrëdhënieve të veçanta, të shëndosha dhe shumëdimensionale të ndërtuara mes Shqipërisë dhe Francës mike.
Në kuadër të rrugëtimit evropian të Shqipërisë, Hasani vlerësoi veçanërisht angazhimin serioz të Francës në institucionet e BE-së, i cili ka qenë kyç për sigurimin e një procesi të drejtë dhe transparent të negociatave për anëtarësim.
“Mbështetja e palëkundur e Francës në rrugën tonë evropiane është e paçmuar dhe jemi sinqerisht mirënjohës për këtë mbështetje, e cila forcon vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe të begatshme.
Ne shpresojmë shumë që të vazhdojmë të kemi këtë mbështetje, veçanërisht për mbajtjen e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare, e cila urojmë të zhvillohet në ditët në vijim, sikurse edhe për hapjen e kapitujve të tjerë të mbetur brenda 2025-s deri në arritjen e objektivit tonë të qartë si kristali: mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, u shpreh Ministri Hasani.
Pjesë e rëndësishme e takimit të sotëm ishte edhe Samiti i ardhshëm në Tiranë i Komunitetit Politik Evropian, një samit historik që do të organizohet në Tiranë më 16 Maj 2025.
Ministri Hasani u shpreh se: “Shqipëria ka privilegjin dhe nderin të mikpresë këtë ngjarje të rëndësishme, e cila synon promovimin e bashkëpunimit dhe dialogut mes shteteve të Evropës për sfidat e përbashkëta, duke përfshirë sigurinë dhe stabilitetin. Roli kyç i Francës në themelimin e Komunitetit Politik Evropian është i jashtëzakonshëm, dhe ne do të angazhohemi maksimalisht për të avancuar objektivat e tij gjatë samitit të Tiranës”.
Presidenti Macron vizitoi Shqipërinë për herë të parë në një vizitë zyrtare më 16 tetor 2023, ku u pritë me ceremoni shtetërore, ndërsa në fokus të takimit ishin marrëdhëniet mes dy vendeve, si edhe mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si kultura, arsimi, ekonomia apo energjia.