TIRANË- Artisti shkodran Alis ka dhuruar një performancë të jashtëzakonshme në finalen e edicionit të 70-të të Eurovision me këngën “Nan”. I ngjitur i pesti në skenën madhështore, ai arriti të rrëmbejë vëmendjen e mbarë publikut evropian përmes një interpretimi mjaft të ndjerë.
Vokali i tij i fuqishëm mori një tjetër dimension falë pjesëmarrjes speciale të aktores së mirënjohur, Rajmonda Bulku. Prania e saj në skenë e bëri mesazhin e këngës akoma më vizual dhe dramatik për teleshikuesit. Kjo baladë prek një nga temat më të ndjeshme për shoqërinë shqiptare, që është emigrimi dhe malli për njerëzit e dashur.
Edhe pse rregullorja e festivalit nuk lejon votimin për vendin tënd nga brenda territorit, të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë mundësinë e artë të mbështesin Alisin në këtë rrugëtim. Ata mund të votojnë për performancën e Alisit duke dërguar kodin 05 nga shtetet ku ndodhen.
Metoda e votimit:
1. Me SMS (Diaspora): Dërgoni kodin 05 në numrin e vendit ku ndodheni (Gjermani, Zvicër, Itali, Francë, Greqi, Belgjikë, etj.).
2. Online (Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe “Pjesa tjetër e botës”): Hyni në faqen zyrtare të internetit www.esc.vote dhe zgjidhni Shqipërinë.





