Mallra të kontrabanduara me kamionë/ Arrestohet doganieria në Qafë Botë, përgjegjësi i turnit dhe shoferi

0

Ka rënë në prangat e policisë së Vlorës, një 63-vjeçar pasi transportonte me kamionë dhe trajlera sasi të mëdha produktesh për konsum, të dyshuara të kontrabanduara.

Gjithashtu, janë arrestuar doganierja e Degës Doganore në Qafë Botë dhe përgjegjësi i turnit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ndërkohë, nisi procedimi penal për shtetasin 43 vjeç, me detyrë agjent në Degën Doganore Qafë Botë.

Njoftimi i Policisë:

DVP Vlorë/ Evidentohet dhe goditet një rast i kontrabandimit në Shqipëri të produkteve të konsumit, me qëllim shitjen.

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, finalizuan operacionin policor të koduar “Tranzit 4”.

Transportonte me kamionë dhe trajlera sasi të mëdha produktesh për konsum, të dyshuara të kontrabanduara, arrestohet 63-vjeçari.

Policia identifikon administratorin e biznesit për llogari të të cilit transportoheshin mallrat dhe vijon punën për kapjen e tij.

Në pranga dhe 2 punonjës të Degës Doganore Qafë Botë, mbi dyshime për shpërdorim të detyrave. Në hetim për të njëjtën vepër penale, një punonjës i tretë i kësaj dege.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale sasi të mëdha produktesh ushqimore dhe detergjentë, 2 kamionë, 1 trajler dhe 4 celularë.

Në vijim të punës për goditjen e rasteve të kontrabandës së mallrave, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast paligjshmërie në këtë fushë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Tranzit 4”, gjatë të cilit:

– U vunë në pranga shtetasi ,63 vjeç, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, shtetasja 54 vjeçe, me detyrë doganiere në Degën Doganore Qafë Botë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe shtetasi 49 vjeç, me detyrë përgjegjës turni në Degën Doganore Qafë Botë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
– U shpall në kërkim shtetasi 52 vjeç, administrator biznesi, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
– U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin 43 vjeç, me detyrë agjent në Degën Doganore Qafë Botë.

Gjatë operacionit, shtetasi u kap në PKK Qafë Botë, duke futur në Shqipëri, me mjete të rënda (kamionë dhe trajlera), sasi të mëdha produktesh për konsum, të dyshuara të kontrabanduara. Ndërkaq, 52-vjeçari u shpall në kërkim, pasi dyshohet se këto mallra transportoheshin për llogari të biznesit që ai administronte.

Arrestimi i shtetasve si dhe procedimi i 43-vjeçarit u bënë pasi dyshohet se, duke shpërdoruar detyrat, kanë lejuar kryerjen e këtij aktiviteti kriminal.

Punohet për kapjen e shtetasit dhe për individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu