Një ditë para provimit të maturës Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka zhvilluar një takim me monitoruesit që do të ndjekin nga afër procesin e provimeve.
Provimet e maturës nisin të hënën në datë 3 qershor, me provimin e gjuhës së huaj.
Në 10 qershor është vendosur dita për provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe me 18 qershor provimi i Matematikës.
Gjithë puna që është bërë përgjatë këtyre muajve kurorëzohet me fillimin e procesit të provimit të Maturës Shtetërore për të gjithë maturantët në të gjithë vendin.
“Në të gjithë Shqipërinë janë 144 qendra ku do të zhvillohen Provimet e Maturës, dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit do të monitorojë procesin me përfaqësues të deleguar, duke siguruar që çdo hap i procesit të garantojë transparencën e duhur. Do të angazhohen rreth 2900 mësues dhe punonjës të arsimit që do të jenë përgjegjës për mbarëvajtjen e provimit në çdo qendër provimi nga veriu në jug. Në provimet e maturës shtetërore do të marrin pjesë rreth 28 mijë nxënës, maturantë. Për monitorimin dhe administrimin e procesit do të angazhohen më shumë se 2900 punonjës të sistemit arsimor, përfshirë mësues, administratorë provimesh dhe staf të MAS dhe strukturave të varësisë. Do të jenë 1900 administratorë provimi që monitorojnë grupe prej 15-20 nxënësish, 200 përgjegjës të administrimit, 250 administratorë të sekretimit, 290 përgjegjës për strukturat shkollore dhe mësues ndihmës për mbështetjen e nxënësve me aftësi të veçanta. Gjithashtu janë 230 administratorë për monitorimin dhe vlerësimin e mbarëvajtjes së testimeve në të 144 pikat e provimeve”, tha Manastirliu.