TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar marrëdhëniet me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis. Rama tha se në aspektin personal janë shumë të mira, ndërkohë që në aspektin profesional ka një ngërç.
“Raportet e mia me kryeministrin Mitsotakis janë shumë të mira, në aspektin personal. Për sa i përket marrëdhënieve profesionalë ka një ngërç ajo dihet. Ajo që doja të them është se ne kemi pasur një nënshtresë që ka ndihmuar që marrëdhëniet tona të ecin normalisht.”, tha kryeministri.
I pyetur për marrëdhëniet zyrtare mes tyre, Rama tha se ka një ngërç dhe që sipas tij dihet se cili është ngërçi, referuar çështjes Beleri, momentalisht pika më e nxehtë e tensioneve mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke.
“Për sa i përket roleve institucionale, dihet që ka një ngërç dhe dihet cili është ngërçi. Mënyra sesi politika greke e ka lexuar çështjen Beleri, mënyra sesi e ka inflamuar në sytë e opinionit publik grek për konsum të brendshëm e bën të vetëdijshme atë që reflektohet në marrëdhënien mes dy qeverive. Por ajo që dua të them është që ne ndërkohë kemi pasur një nënshtresë në këto marrëdhënie, ku gjërat kanë funksionuar dhe kanë ecur normalisht. Sot mua më mjafton dhe më tepron që isha “stari” i shqiptarëve të Greqisë.”, tha Rama.