Marrëveshja me Italinë/ 100 emigrantë pritet të mbërrijnë në Portin e Shëngjinit brenda kësaj jave

0

Në kuadër të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë, 100 emigrantë pritet të mbërrijnë në Portin e Shëngjinit brenda kësaj jave, ku do të akomodohen përkohësisht në qendrën e pritjes në Gjadër.

Ky proces është pjesë e një strategjie të re menaxhimi, e cila synon trajtim më të organizuar dhe efektiv të emigracionit, bazuar në ligjin e miratuar nga qeveria italiane. Synimi kryesor është lehtësimi i procedurave të riatdhesimit për emigrantët pa dokumentacion të rregullt.

Qendrat e pritjes në Gjadër dhe Shëngjin janë ndërtuar si pjesë e një bashkëpunimi dypalësh, që ka për qëllim të sigurojë kushte dinjitoze për emigrantët gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm. Afati maksimal i qëndrimit në këto qendra është 18 muaj, një periudhë gjatë së cilës do të zhvillohen të gjitha procedurat ligjore për sistemimin ose riatdhesimin e tyre në vendet e origjinës.

Ministri i Brendshëm Italian, Matteo Piantedosi, ka deklaruar se politikat e reja të emigracionit kanë sjellë një ulje të ndjeshme të fluksit të emigrantëve në Itali. Ai ka theksuar se qendrat e pritjes në Shqipëri janë një model efektiv për menaxhimin e emigracionit, duke garantuar respektimin e të drejtave të emigrantëve dhe sigurinë e tyre.

Ky bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Italisë dëshmon angazhimin e përbashkët për një menaxhim më efikas dhe të organizuar të emigracionit, duke vendosur standarde të reja për trajtimin dhe integrimin e përkohshëm të emigrantëve në rajon.