Marrëveshja me Italinë, anija me 15 emigrantë mbërrin në Portin e Shëngjinit

0

SHËNGJIN- Një anije me 15 emigrantë nga Italia është ankoruar pasditen e sotme, 26 qershor në portin e Shëngjinit. Anija ka mbërritur në port rreth orës 18:00 dhe, pas procedurave në qendrën pritëse, emigrantët do të transferohen në kampin e Gjadrit.

Ky është kontingjenti i katërt i emigrantëve që mbërrijnë në Shqipëri, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar disa muaj më parë mes vendit tonë dhe qeverisë Meloni. Aktualisht në kampin e Gjadrit janë rreth 30 emigrantë të dëbuar.

Italia është pajtuar t’i mirëpresë emigrantët që fitojnë azilin, ndërsa atyre që nuk u pranohen kërkesat për azil, dëbohen drejtpërdrejt nga Shqipëria. Italia i dërgoi në Shqipëri fillimisht një grup prej 16 emigrantësh nga Bangladeshi dhe Egjipti. Katër prej tyre u kthyen në Itali në ditën e njëjtë, sepse ishin të mitur ose kishin probleme shëndetësore.

Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit. Sipas marrëveshjes, procedurat për emigrantët do të kryhen në dy qendra. Qendra e parë në Shëngjin përdoret për procedura të identifikimit të emigrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra larg portit, shërben për strehim të emigrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil. Qendrat funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma.