TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar për marrëveshjen me Italinë për refugjatët. Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama u shpreh se marrëveshja për refugjatët me Italinë do të vazhdojë për aq kohë sa vendi fqinj do të dojë.
Rama theksoi se protokolli me Italinë është këtu për të qëndruar, ndërsa shtoi se citimi i publikuar pas një interviste me ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxha është i shtrembëruar.
“Për të gjithë gazetarët nga Italia dhe më gjerë, që po kontaktojnë lidhur me një citim mashtrues të publikuar nga një media pas një interviste me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë: dua ta ritheksoj qartë, dhe shpresoj njëherë e përgjithmonë, se Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia do ta dëshirojë këtë”, shkruan Kryeministri Rama.





