MORINË/VËRMICË – Radhë e gjatë me automjete drejt Kosovës është krijuar ditën e sotme në pikat kufitare Morinë dhe Vërmicë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Nga dita e sotme ka nisur zbatimi i marrëveshjes së lehtësimit të qarkullimit të udhëtarëve mes dy vendeve, një ditë pas takimit ndërqeveritar të mbajtur në Elbasan. Sipas informacioneve, pala shqiptare e doganës po punon me 6 sportele, kurse pala kosovare me 3.
Njëri prej qytetarëve që ka planifikuar ta kalojë këtë ditë në Kosovë e konsideron këtë marrëveshje si “propogandë”
“Kemi ngelur në radhë për të ikur në Kosovë, marrëveshja ishte që për festat e nëntorit por asgjë s’kanë bërë, sa herë ata bëjnë marrëveshje ata është më keq radha këtu, këtë e dimë të sigurt. Është çdo gjë për letra, vetëm propagandë, ja siç e shikoni radhën. Po shkojmë që ta festojmë 28 vjetorin në Kosovë”, u shpreh qytetari.
Edhe një tjetër udhëtar shprehu pakënaqësinë rreth vonesave të krijuara në doganë.
“Po shkojmë në Kosovë, prisnim që trau të ishte i hapur por realiteti është i kundërt. Dy qeveritë ranë dakord por marrëveshje, trau të ishte i ngritur edhe sot që është dita e festës, faktikisht realiteti është i kundërt. Çdo marrëveshje ka ngelur në kuadrin e letrave, duhet të realizohet edhe në praktikë. Sot po shkojmë për të festuar në Prizren”, thotë një qytetar tjetër.
Ditën e djeshme, qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës firmosën 16 marrëveshje bashkëpunimi midis tyre, ku në to përfshiheshin: heqja e barrierave tarifore në të dy anët e kufirit, lehtësimi i pajisjes me lejeqëndrimi në të dyja vendet, etj.