Masakër ekologjike në Fier, 5 ton peshk i ngordhur në rezervuar

0

Brigjet e rezervuarit të Petovës në bashkinë Fier janë pushtuar nga grumbuj të mëdha me peshk të ngordhur. Shkak i kësaj katastrofe ekologjike janë bërë temperaturat e larta të cilat kanë ulur nivelin e ujit në rezervuar.

Mbi 5 ton peshk i ngordhur ka mbushur anët e rezervuarit duke shkaktuar erë të rëndë në zonë si dhe mbledhjen e shumë kafshëve të cilat po ushqehen me peshkun e ngordhur.

Kanë qenë banorët e zonës të clët shprehen të shqetësuar për këtë situatë që vazhdon prej ditësh, pasi për shkak të temperaturave të larta ka rrezik që të krijohet një epidemi, por askush nuk ka marrë masa.

Agjencia Rajonale e Ruajtjes së Mjedisit e kontaktuar me telefon në lidhje me këtë problematikë ka pohuar se e dinë problemin, por nuk është kompetencë e tyre sepse këtë kontroll e ushtron Ministria e Mjedisit. E njëjta përgjigje vjen edhe nga AKU, Drejtoria e Peshkimit dhe Drejtoria e Ruajtjes së Mjedisit në bashkinë Fier.

Ferrik Avdia, drejtor i bujqësisë në bashkinë Fier ka pohuar se kjo është hera e parë që ndodh një situatë e tillë për shkak të temperaturave të larta e rënia e nivelit të ujit në rezervuar. Po ashtu është vënë në dijeni dhe Ministria e Mbrojtjes, drejtoritë përkatëse, policia dhe i është lënë detyrë personit që ka marr me qira rezervuarin që të nxjerri të gjithë sasinë e peshkut të ngordhur e ta largojë nga rezervuari.

Një situatë e njëjtë ndodhi dy muaj më parë në rezervuarin e Kurjanit në Rroskovec ku tonelata peshku të ngordhur pushtuan anët e rezervuarit e ndotën ambientin. Pas kronikave televizive organet përkatëse morën masa për largimin e tij e rikthimin e situatës në normalitet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu