Ish-kryeministri Sali Berisha, prej gati një viti në arrest shtëpiak për aferën në dosjen “Partizani”, ka mbajtur edhe sot në mbrëmje (3 Nëntor), fjalimin e radhës nga ballkoni i banesës për mbështetësit e tij.
Teksa i falënderoi për mbështetjen dhe qëndresën e përditshme te ajo që e ka quajtur “Rruga e shpresës”, Berisha foli edhe për ngjarjen e rëndë të Shkodrës, atentatin e mesjavës ndaj Licëve në Dobraç, që sot regjistroi edhe viktimën e katërt.
“Mediat njoftuan se sot në spitalin e Shkodrës ndërroi jetë Bashkim Basha, babai i 3 fëmijëve, bashkëshorti i të ndjerës, Flutura Basha. Viktimë e masakrës së licencuar nga Edi Rama, narkopolicia e tij, për narkobandën, me qëllim që të terrorizoj Shkodrën dhe të grabisë mandatin e tij”, tha berisha ndër të tjera.
Teksa kërkoi që të nderoheshin viktimat me një minutë heshtje, ai tha se “viktimat e këtij krimi” ishin “nga mafias shtetërore”.
“Zotimi ynë është në dhe vetëm një, mafia dhe terrori nuk do të na mposhtin kurrë. Përkundrazi gjithnjë e me më guxim do të ngrihemi të përballemi çdo ditë dhe kudo me ta”, tha Berisha.
Në atentatin me objektiv makinën ku lëvizte grupi kundërshtar, mbetën të vrarë nga plumbat Hamza Lici dhe Arlind Bushati, teksa shpëtoi personi i tretë që ishte në mjetin “Benz” dhe që mbeti enigmatik. Vetura pas humbjes së kontrollit përplasi motorin e çiftit Basha, ku gruaja vdiq në vend, kurse bashkëshorti mëngjesin e sotëm.
Ngjarja dyshohet se ka motiv luftën e përgjakshme në shtatë vitet e fundit mes grupit të Bajrave e Bilalëve, me atë të Licëve, me të paktën 12 viktima deri tani.