Partia Demokratike ka kontestuar publikisht procesin zgjedhor të zhvilluar më 25 Prill 2021, duke e cilësuar si masakrën më të rëndë zgjedhore në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri. Pjesë e këtij kontestimi, përvec deklaratave publike, kanë qenë edhe ankimet në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, paditë në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor dhe kallëzimet penal në Prokurorinë e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Partia Demokratike ka konstatuar pesë tipologji shkeljesh të rënda që minuan procesin demokratik të zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit: (i) Shitblerja masive e votës, e realizuar nga bashkëpunimi i kandidatëve të mazhorancës me elementë të krimit të organizuar; (ii) Shkrirja e shtetit dhe Partisë në pushtet në një të vetëm; (iii) Vjedhja dhe përdorimi i paligjshëm i të dhënave personale dhe sensitive; (iv) Ndalimi antikushtetues i të drejtës së emigrantë për të marrë pjesë në zgjedhjeve, vecanërisht atyre që jetojnë në Republikën e Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut; dhe (v) Ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor, që sollën heqjen e koalicioneve dhe një format flete votimi, që prodhoi 83 mijë fletë votimi të pavlefshme.
Secila prej këtyre problematikave, krahas rekomandimeve përkatëse u pasqyrua në mënyrë të detajuar edhe në raportin përfundimtar të Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, publikuar më 26.07.2021
Këto problematika dhe rekomandimet përkatëse, por edhe të tjera të adresuara në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR meritojnë një trajtim të vecantë nga Kuvendi, në mënyrë që të adresohen nëpërmjet nismave ligjore. Në funksion të këtij qëllimi, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka aktivizuar edhe një mekanizëm tjetër parlamentar, që ka të bëjë me ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit 2021, një prej detyrave kryesore të të cilit është edhe vlerësimi i nevojë për miratimin, korrigjimin apo ndryshimin e akteve ligjore. Puna e këtyre dy komisioneve duhet parë si komplementare, me qëllim garantimin për qytetarët të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.