GREQIA- Komisioni Europian ka gjobitur Greqisë me gati 400 milionë euro për dështimin në menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë dhe për kontroll të pamjaftueshëm. Bëhet me dije se Brukseli ka urdhëruar Athinën të paguajë 392.2 milionë euro nga fondet e BE-së për shkak të dështimeve sistemike në menaxhimin e subvencioneve të BE-së për bujqësinë në periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2023
Sipas mediave të huaja, agjencia greke përgjegjëse për mbikëqyrjen e subvencioneve të BE-së është akuzuar gjithashtu për kryerjen e pagesave pa kontrolle ose inspektime të mjaftueshme në terren. Vendimi për gjobën pasoi një skandal të madh rreth mashtrimit në lidhje me fermat greke, i cili është objekt i një hetimi nga Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO).
Gjobat prekin disa subvencione të ndryshme, duke përfshirë pagesat direkte, skemat e fermerëve të vegjël, ekoskemat dhe masat vullnetare të mbështetjes së lidhur. Të gjitha u konstatuan se kishin mangësi nga përputhshmëria e pamjaftueshme me kriteret e BE-së. Greqia pritej të merrte rreth 1.9 miliardë euro në pagesa direkte nga BE vitin e ardhshëm, por rreth një e katërta e kësaj shume tani do të shkurtohet, për shkak të gjobës.
Marsin e kaluar, Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian rrëzoi një apel grek kundër një sërë sanksionesh të ngjashme, duke mbështetur gjetjet e Komisionit Evropian dhe duke urdhëruar Greqinë të paguajë shpenzimet gjyqësore. Vendimi aktual nuk lidhet drejtpërdrejt me hetimet mbi pretendimet e mashtrimit për kullota, por sipas zyrtarëve grekë të bujqësisë, priten të vijojnë me gjoba të tjera.