Mbi 1200 artistë nga nesër në Festivalin Folklorik Kombëtar/ Margariti: Ju presim në Gjirokastër!

0

Teksa na ndajnë edhe një ditë nga një ngjarje madhore për jetën kulturore të vendit, siç është Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, përgatitjet janë në minutat e fundit, ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau në rrjetet sociale foton së bashku me kryebashkiakun e Gjirokastrës duke inspektuar nga afër përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar.

“Bashkë me Flamurin po “numërojmë” fijet e thurura nga artizanët tanë në kurorën simbolike të Kalasë së Gjirokastrës, në skenografinë ku do të ushtojë kënga e vallja, ashtu si po numërojmë orët deri në hapjen e Festivali Folklorik Kombëtar Gjirokastër. Ju presim në Gjirokastër”, shkroi ministrja Elva Margariti.

Skena e edicionit të 11-ti për Gjirokastrën, është realizuar me fije artizanale të ndërthurura me elementet metalike të skenës, si rreze dielli që përhapen.

Në këtë edicion të tij, ku do të ketë 1200 pjesëmarrës, interpretues të folklorit shqiptar, organizatorët kanë menduar të ketë edhe personalitete të artit të cilët do të jenë me statusin e artistëve përshëndetës.
Një nga suprizat e edicionit të këtij viti është pjesëmarrja e Renzo Arbore dhe Orkestrës Italiane.

Me 30 vjet jetëgjatësi e koncerte anembanë botës, artistët italianë padyshim do të jenë të mirëpritur në skenën e Kalasë së Gjirokastrës. Orkestra Italiane e Renzo Arbore, u themelua në 1991, me qëllimin për t’i dhënë një hov muzikës e këngëve napoletane, aq të dashura nga publiku mbarëbotëror.
Të tjerë artistë përshëndetës në festival, do të jenë vëllezërit Endri e Stefi Prifti, Marsela Çibukaj, grupi i mirënjohur Saz’Iso, grupi “Le Swings” etj.

Ky do të jetë edicioni i 11-të i Festivalit Folklorik Kombëtar që zhvillohet në Gjirokastër, por gjithsej numërohen 18 festivale, pasi në vitet e pas luftës, festivalet zhvilloheshin në qytete të ndryshme si në Tiranë, Elbasan Lezhë, Berat, Krujë.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës do të zhvillohet nga data 24 qershor deri në 1 korrik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu