Protesta e nisur prej orës 17:00 për te treten dite radhazi u mbyll edhe mbrëmjen e sotme. Me thirrjet ‘Ulni taksat’ janë zhvilluar protesta për të kundërshtuar rritjen e çmimeve, në Tiranë përpara kryeministrisë, por edhe në Lezhë, në Durrës, në Berat, në Korçë, në Shkodër etj.
Situata më e tensionuar u paraqit në Durrës ku qytetarët kanë bllokuar rrugët e qytetit dhe pati përplasje pasi thyen kordonin e policisë me qëllim për të bllokuar autostradën Tiranë-Durrës. Si pasojë e përplasjes, në Durrës u shoqëruan 20 persona, ndërsa pati shoqërime edhe në Lezhë, Berat dhe Dibër.
Në lidhje me protestën ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, e cili i ka cilësuar një përpjekje të ulët e hijeve të së shkuarës. Rama shkruan se kjo është një tentativë e dorës së “non gratave” të shpallur dhe të pashpallur për të manipuluar njerëzit duke hedhur gurin e fshehur dorën.
Protestuesit kanë paralajmëruar ditën e nesërme në orën 11:00 protestë kombëtare. Në Tiranë do të mblidhen në sheshin Skëndërbej dhe jo përpara kryeministrisë.