Mbyllën universitetet për vajzat dhe gratë në Afganistan, OKB i bën presion talebanëve: Islami nuk e kërkon këtë

0

AFGANISTAN- I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për arsimin global u ka bërë thirrje vendeve islamike që të dënojnë një masë të talebanëve që ndalon studentet femra nga universitetet, e fundit në një seri kufizimesh të vendosura ndaj grave në Afganistan.

“Kjo është një nga ditët më të trishtuara për ata që shqetësohen për të drejtat e grave dhe vajzave,”-tha Gordon Brown në lidhje me vendimin këtë javë nga Ministria e Arsimit të Lartë të udhëhequr nga talibanët. Në një intervistë me Al Jazeera të transmetuar të premten, Brown tha se ekonomia afgane do të dëmtohej në afat të gjatë nëse gratë nuk lejohen të trajnohen si mjeke, mësuese, studiuese, shkencëtarë dhe për profesione të tjera.

“Mënyra se si mund ta trajtojmë këtë është që të gjithë liderët tanë në vendet muslimane të protestojnë dhe të thonë se Islami nuk e kërkon këtë,”-tha ai.

Në një editorial të botuar në gazetën britanike The Guardian, Brown vuri në dukje se çdo vend në botën myslimane, përveç Afganistanit të drejtuar nga talibanët, është i përkushtuar publikisht ndaj qëllimit të zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së që çdo fëmije t’i sigurohet akses në “arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë” deri në vitin 2030. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha të enjten se ndalimi nuk ishte “as islamik dhe as njerëzor”. Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij jemenas, Cavusoglu u kërkoi talebanëve të anulonin vendimin.

“Çfarë dëmi ka shkollimi i grave? Çfarë dëmi i bën Afganistanit? A ka ndonjë shpjegim islamik? Përkundrazi, feja jonë, Islami, nuk është kundër edukimit. Përkundrazi, inkurajon arsimin dhe shkencën,”- tha Çavusoglu.

Ministria e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite shprehu “habinë dhe keqardhjen” për gratë afgane që u mohohet arsimi universitar. Në një deklaratë të mërkurën vonë, ministria tha se vendimi ishte “befasues në të gjitha vendet islamike”.

Që nga kthimi në pushtet pas tërheqjes së trupave amerikane në vitin 2021, talebanët janë tërhequr nga premtimi i tyre për të garantuar të drejtat e vajzave për t’u arsimuar dhe liri të tjera. Në mars, ndaluan vajzat nga arsimi i mesëm, duke i shtrirë më vonë kufizimet në arsimin fillor dhe më në fund në arsimin e lartë. Grupi argumenton se rregullat e tij janë në përputhje me interpretimin e tyre të Islamit. Studentet femra afgane protestuan kundër masave të premten në Kabul, por protestat u mbyllën shpejt.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu